image

Verë 2026- Platforma që po u jep një shans të dytë pushimeve të papërdorura

  • svg Informacion
  • svg

Nëse deri dje Vinted ishte sinonim i rishitjes së rrobave dhe aksesorëve, sot i njëjti koncept po revolucionarizon edhe industrinë e turizmit. Një trend i ri, i quajtur nga mediat ndërkombëtare "Vinted i udhëtimeve", po u mundëson udhëtarëve të shesin rezervimet që nuk mund t'i përdorin më, ndërsa blerësit përfitojnë pushime me çmime dukshëm më të ulëta se ato të tregut.

 

Si funksionon?

Ideja është e thjeshtë: nëse një person ka rezervuar një hotel, fluturim ose paketë pushimesh dhe nuk mund të udhëtojë, ai mund ta publikojë rezervimin në një platformë të specializuar për ta rishitur.

Blerësi merr rezervimin me një çmim të reduktuar, ndërsa shitësi rikuperon një pjesë të shumës që përndryshe do ta humbiste. Megjithatë, transaksioni është i mundur vetëm nëse kompania ajrore, hoteli ose operatori turistik lejon transferimin e rezervimit ose ndryshimin e emrit të pasagjerit.

 

Pushime me zbritje deri në 70%


Sipas të dhënave të publikuara nga platforma Transfer Travel, kursimet për blerësit variojnë zakonisht nga 40% deri në 70%, ndërsa gjatë muajit të fundit kursimi mesatar ka arritur në 62%. Në disa raste janë publikuar oferta që kanë tërhequr vëmendje në media, si një pushim në Maltë me një çmim simbolik prej rreth 20 euro, ose pesë netë në Greqi me çmime shumë më të ulëta se tarifat standarde.



Një treg që po rritet me shpejtësi

 

Fenomeni nuk është më një ide eksperimentale. Vetëm gjatë vitit 2026:

  • janë publikuar rezervime me vlerë mbi 7 milionë paund;
  • platforma Transfer Travel numëron mbi 162 mijë përdorues në më shumë se 170 vende;
  • numri i rezervimeve të publikuara është rritur me 185% krahasuar me periudhën e mëparshme;
  • në çdo moment janë aktive mbi 1.000 oferta për fluturime, hotele dhe paketa turistike.

Këto shifra tregojnë se gjithnjë e më shumë udhëtarë po preferojnë të rikuperojnë një pjesë të kostos së pushimeve të anuluara në vend që t'i humbasin plotësisht.

 

Ndër platformat më të njohura janë: Transfer Travel – fokusuar në rishitjen e fluturimeve, hoteleve dhe paketave turistike, me pagesa të mbrojtura gjatë procesit të transferimit ose Secret Escapes -fokusuar tek destinacionet "luxury"  dhe oferta last minute


 

Çfarë duhet të kontrollojë blerësi?

 

Ekspertët këshillojnë që përpara blerjes të verifikohen disa elementë:

 

  • nëse rezervimi është i transferueshëm;
  • kostot për ndryshimin e emrit;
  • kushtet e anulimit;
  • autenticiteti i rezervimit;
  • përdorimi i platformave që ofrojnë pagesa të mbrojtura.

Këto hapa ndihmojnë në uljen e rrezikut dhe e bëjnë procesin më të sigurt për të dyja palët.

 

A mund të funksionojë edhe në Shqipëri?

Me rritjen e turizmit dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të platformave dixhitale, modele të tilla mund të krijojnë mundësi edhe në tregun shqiptar. Rishitja e rezervimeve të papërdorura mund të ndihmojë konsumatorët të minimizojnë humbjet financiare, ndërsa udhëtarëve të tjerë t'u ofrojë mundësinë për të rezervuar pushime me çmime më konkurruese.

Megjithatë, suksesi i një modeli të tillë do të varet nga politikat e operatorëve turistikë, fleksibiliteti i kushteve të rezervimit dhe ekzistenca e mekanizmave të sigurt për transferimin e rezervimeve.